“Tajlanda e Evropës” ndodhet në Shqipëri”, Lumi i Shalës mahnit vizitorët britanik

Lumi i Shalës, një nga perlat natyrore të Shqipërisë, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare.

Së fundmi, media britanike “The Mirror” e ka cilësuar këtë destinacion si “Tajlanda e Evropës”, falë ujërave të kristalta, natyrës së egër dhe peizazheve mahnitëse që ngjajnë me ato të Azisë Juglindore.

I fshehur mes maleve në veri të vendit dhe i aksesueshëm vetëm përmes një udhëtimi me varkë nga Liqeni i Komanit, Lumi i Shalës ofron një eksperiencë unike për ata që kërkojnë qetësi, aventurë dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën.

Përveç bukurisë natyrore, Shqipëria po promovohet edhe si një nga vendet më të përballueshme ekonomik për pushime në Evropë.

The Mirror thekson se fluturimet nga qytete britanike si Birmingham, Bristol, Luton apo Stansted drejt Shqipërisë janë të lira dhe të shpeshta, duke e bërë Lumin e Shalës një destinacion ideal edhe për udhëtarët me buxhet të ulët. Në muajt e vjeshtës, çmimet e biletave mund të zbresin deri në 25 euro.