Kabineti “Rama 4”/ Zbulohet data kur do të shpallet qeveria e re! Pasiguri dhe pritshmëri për ministrat e vjetër dhe të rinj

Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë publike më 11 shtator emrat e kabinetit të tij të katërt qeverisës. Kjo do të ndodhë një ditë pas seancës së parë të Kuvendit të ri.

Burime për Panorama Online bëjnë të ditur se kabineti i ri do të prezantohet menjëherë pas betimit të deputetëve të zgjedhur më 11 maj.

Pritet që qeveria e re të përfshijë figura me profil të lartë teknik, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe mbylljen e kapitujve të anëtarësimit në BE. Po ashtu pritet që përzgjedhja të jetë e kujdesshme për të shmangur përballje të mundshme me drejtësinë, veçanërisht me strukturat e posaçme kundër korrupsionit.

Në Asamblenë e 11 shtatorit do të bëhet e ditur edhe se kush do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit, si dhe pozitat kyçe në Kuvend, përfshirë kryetarin e parlamentit dhe kreun e grupit parlamentar të mazhorancës.

Ndërkohë që pritet emërimi i ministrave të rinj, pritet edhe një riformatim i disa ministrive ekzistuese, të cilat aktualisht përfshijnë më shumë se një dikaster nën të njëjtën strukturë.

Atmosfera politike karakterizohet nga pasiguri dhe pritshmëri të larta, si për ministrat aktualë, ashtu edhe për ata që shpresojnë të jenë pjesë e kabinetit të ri.