Giorgio Armani, stilisti dhe sipërmarrësi, ka lënë pas një markë globale me mbi 8 mijë punonjës, 650 dyqane, për të mos përmendur hotelet, restorantet dhe lokalet, përfshirë ndërtesën historike Capannina di Forte dei Marmi, të cilën e përvetësoi gushtin e shkuar.
Kompania e mbylli vitin 2024 me të ardhura rreth 2,3 miliardë euro dhe nuk ka ndaluar kurrë së investuari.
Por Armani ka qenë gjithnjë një sipërmarrës i kujdesshëm, ‘alergjik’ ndaj borxheve dhe ka lënë pas një kompani të shëndetshme për fondacionin: në fund të vitit 2024, kishte 600 milionë euro asete likuide për vijueshmërinë e rritjes.
Siç është planifikuar prej kohësh, menaxhimi i kompanisë do t’i kalojë fondacionit që udhëhiqet nga Pantaleo Dell’Orco, krahu i djathtë i themeluesit, nipi i tij, Luca Camerana dhe Irving Belloti, CEO i Rothschild Italy i cili e ka shoqëruar gjithnjë stilistin në rrugëtimin e tij si sipërmarrës.
Vijimësia ishte planifikuar që në vitin 2016, me krijimin e fondacionit dhe një grupi personash të besuar dhe të aftë për ta udhëhequr kompaninë drejt shekullit tjetër të suksesit.
Misioni i fondacionit, i cili do të trashëgojë kontrollin e kompanisë, është për “të siguruar vëmendjen ndaj risisë, shkëlqimit, cilësisë dhe kërkimit të produktit”. Qasja ndaj përfitimeve do të jetë “e kujdesshme” siç kompania ka vepruar dri më tani dhe e fokusuar te zhvillimi i aftësive që nuk janë ende pjesë e saj.
Fondacioni do të duhet “të ndjekë një nivel të përshtatshëm investimesh për zhvillimin e markave, menaxhim të ekuilibruar financiar dhe përdorim i moderuar i borxhit si dhe një nivel të përshatshëm ri-investimesh të përfitimeve të Giorgio Armani”.
Gjithashtu është përcaktuar se fondacioni nuk do të shpërndajë përfitimet, asetet ose tepricat e menaxhimit që janë veprimtari “qartazi të ndaluara” edhe në mënyrë të tërthortë: “Çdo përfitim ose tepricë do të përdoret për aktivitete institucionale”.