Kristjan Asllani ishte heroi i Shqipërisë në duelin ndaj Letonisë, teksa shënoi golin e vetëm të sfidës nga pika e bardhë e penalltisë. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “Supersport”, mesfushori i cili së fundmi është transferuar te Torino deklaroi:
“Besoja se nuk do të hyja në fushë në pjesën e dytë. E pamë me eko që nuk kisha gjë, e fashova dhe doja të luaja. Edhe ndaj Fiorentinës kisha dhimbje në kofshë. S’jam më i ri, 23 vjeç, po plakem edhe unë.
Sot ishte një performancë pozitive. Letonia na priti, nuk ishte agresive. Jemi të lumtur, kjo ishte si një finale për ne. E dimë çfarë ndeshje na pret në tetor. Duhen 3 pikët ndaj Serbisë. Këtu ndaj Serbisë bëmë ndeshje pozitive, treguam kualitetin, gabuam penalltinë. Sot 1 me 0 deri në fund ishte problem. Këto ekipet nga kornet janë të forta. Gabimi qe ky që nuk e mbyllëm ndeshjen.
Sot Broja më shau pak në fushë, por nuk ka problem, jemi shokë. Gabimi është që nuk bëjmë gola. Në fund kemi rrezikuar shumë, u ulëm poshtë. Shumë e vështirë, për të markuar. Na duhet ta mbyllim ndeshjen.