Ditën e sotme, më 11 shtator 2025, bëhen 24 vite nga një ditë që nuk mund të harrohet, një ditë që ndryshoi gjithçka. Sulmet e 11 shtatorit 2001, të kryera nga terroristët e Al-Qaidës, goditën Kullat Binjake në Nju Jork dhe Pentagonin në Uashington, DC, duke marrë jetët e më shumë se 2,900 njerëzve dhe duke lënë pas një dhimbje të thellë.
Pas asaj dite, bota ishte ndryshe, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por çdo komb, çdo qytet, çdo individ. Pasojat e kësaj tragjedie e shoqëruan botën në çdo hap të saj, duke çuar në ndryshime të mëdha në sigurinë globale, politikat ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit.
Më poshtë ju tregojmë kronologjinë e ngjarjeve të 11 shtatorit, i konsideruar si sulmi më i madh terrorist në historinë e njerëzimit:
* Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer (American Airlines 11) u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.
* Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në Nju Jork. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në Nju Jork.
* Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.
* Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Uashingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.
* Ora 09:59 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e Nju Jorkut.
* Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë.
* Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
* Ora 10:28 e mëngjesit, Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut, nuk janë më.
* Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.
* Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.