M*sakra me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur, mbërrin në Gjykatë Ragip Gila, njihet sot me masën e sigurisë

Autori i masakrës së Shkodrës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur do të njihet ditën e sotme me masën e sigurisë. Ditën e hënë, Gila në tentativë për të ekzekutuar Erogen Brajoviç, ka vrarë Armando Palin dhe Liridon Krajën teksa këta po konsumonin kafe në një lokal pranë qendrës së Shkodrës.

Nga atentati, shënjestra Brajoviç ka mbetur i plagosur së bashku me kamarieren e lokalit Meri Kaceri. Mësohet se Gila, ka mbërritur në Gjykatën e Shkodrës në orët e para të mëngjesit, ku dhe do t’i caktohet masa e sigurisë.

Si ndodhi vrasja?

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.