“PD si biznes”/ U përjashtua nga mbledhja e kryesisë, Dashnor Sula “shpërthen”: E ardhmja është e errët

Duket se në nisje të sesionit të ri parlamentar, Partia Demokratike vjen sërish e përçarë. Kjo ndarje u vu re dhe ditën e djeshme kur PD mblodhi kryesinë, por duke përjashtuar të gjithë ato figura që nuk fituan një mandat në zgjedhjet e 11 majit.

I ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, ish-deputeti Dashnor Sula ka folur me tone të ashpra. Ai tha se PD është kthyer në një biznes që përdoret për interesat personale të drejtuesve. Ai tha se anëtarët e PD duhet të jenë të turpëruar për gjendjen ku ndodhen.

“Ndjej keqardhje. Unë shoh vetëm errësirë në të ardhmen e PD. Shiko çfarë bën Rama, mblodhi grupin e ri parlamentar, ndërkohë tek ne përjashtohet nga çdo gjë, nga mbledhjet, nga bisedat në Whatsapp. Këta nuk mendojnë me largpamësi, mendojnë sot për nesër. Edhe dje më bëri përshtypje, unë kur hymë në parlament rrija me kokë ulur sepse humbëm, më vinte turp, ndërkohë këtyre u rri bua vesh më vesh.

Ta dinë që pushteti merret o me vote, ose me dhunë. Përderisa je në regjim, si shkon tek regjimi në parlament, i njeh zgjedhjet etj, etj. Me çfarë po kuptoj unë, PD është biznes tani. Veprojnë për lidhjet e tyre të ngushta personale. Flas për deputetët dhe figurat e larta sepse votuesit nuk kanë çfarë bëjnë.

Berisha ka shumë përgjegjësi, por ka dhe hajnët, lakejtë dhe servilat që i bëjnë fresk. Duke nisur nga numri 2 i PD, zoti Noka, pastaj e gjithë kryesia. Nuk mund t’i kërkosh llogari demokratit të thjeshtë. Por do ikin me bishtin në shalë, të turpëruar. Shembja e regjimit bëhet me dhunë, me protesta, me kryengritje.

Këta thonë do shkojmë në Kuvend por pse i dogjën mandatet më parë? Thonë i bëri Basha, por në fakt e vërteta është që Basha ishte thjesht kukull, nuk u bë kurrë kryetar.”– tha Sula.