Nga “djalli” i korrupsionit tek ‘Dielli’ digjital, mediat ndërkombëtarë jehonë eksperimentit të Ramës, a mundet vallë..

Krijimi i Diellës, ministres së parë shqiptare të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ka bërë bujë në mediat italiane. “Corriere della Sera” i ka kushtuar një artikull të gjatë fenomenit, duke e përshkruar si një zgjedhje “futuristike dhe të pazakontë” të kryeministrit Edi Rama. Sipas prestigjiozes italiane, Diella, ka marrë një nga portofolët më delikatë: tenderat publikë, të cilët prej vitesh konsiderohen si burimi më i madh i korrupsionit në Shqipëri. “Corriere della Sera” vëren se Shqipëria ka njohur rritje të qëndrueshme ekonomike që prej vitit 2015, përveç ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia në vitin 2020.

FMN parashikon një rritje prej 3,5% të PBB-së në vitin 2025, një zhvillim që reflektohet qartë në kantieret, ndërtesat dhe infrastrukturën e re në mbarë vendin. Por gazeta italiane thekson se pas këtij zhvillimi fshihet një “hije e rëndë: korrupsioni”, i cili sipas saj, mbetet një nga pengesat kryesore për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sektori i tenderave publikë përmendet si më i ekspozuari ndaj abuzimeve. Megjithatë, sipas “Corriere della Sera”, prezantimi i Diellës ka lënë të hapura shumë pikëpyetje:

Kush do të mbikëqyrë punën e ministres digjitale?
Çfarë garancish ka kundër manipulimeve apo përdorimit të gabuar të sistemit?
Cilat janë specifikat teknike të botit, mbi cilin model gjuhësor të inteligjencës artificiale është ndërtuar?
Për momentin, asnjë nga këto detaje nuk është bërë publik, ndërkohë që më poshtë po pasqyrojmë artikullin e plotë.

Artikulli i plotë “Corriere della Sera”

“Ekipi qeveritar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, është zgjeruar: që nga e enjtja, 11 shtator, kabinetit të Tiranës i është shtuar një ministre e re. Ajo quhet Diella, mbiemri nuk dihet. Jo sepse ajo ka vendosur të heqë dorë prej tij, por sepse Diella (që në shqip do të thotë “dielli”) nuk është gjë tjetër veçse një bot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Me fytyrë të çelur, grim të përsosur, flokë të gjatë e të errët dhe e veshur me kostum tradicional shqiptar, Diella ka marrë portofolin e tenderave publikë: ajo do të merret me nënshkrimin e kontratave me kompanitë private.

Ministrja kundër korrupsionit

Mund të duket një ide e çuditshme, në disa momente futuriste, por brenda emrit “Diella” fshihet kuptimi i kësaj zgjedhjeje: diell, qartësi, transparencë. Shqipëria po përjeton një periudhë rritjeje të pandërprerë ekonomike që prej vitit 2015, me një përjashtim të vetëm në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19. Në vitin 2025, PBB-ja e vendit pritet të rritet me 3,5%, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo rritje është e dukshme me sy të lirë: kantiere, skela, godina e infrastrukturë të reja dominojnë peizazhin urban dhe rural.

Kudo që të shohësh, po ndërtohet. Por pas këtij zhvillimi, qëndron një hije që vijon të rëndojë: korrupsioni, një nga problemet kryesore me të cilat vendi duhet të përballet për të përfunduar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Ballkan, një problem endemik që godet veçanërisht sektorin e tenderave publikë. Dhe pikërisht në emër të transparencës vjen “shërbyesja e administratës publike”, kështu e quajnë Diellën. “Procesi, shpjegoi Rama, do të jetë gradual, por objektivi është ta bëjmë Shqipërinë një vend ku tenderat publikë të jenë 100% të pakorruptuar dhe ku çdo fond publik të jetë plotësisht i gjurmueshëm”.

Disa pyetje të hapura

Sa i përket mbikëqyrjes njerëzore, kryeministri nuk dha detaje mbi mekanizmat e kontrollit që do të shoqërojnë punën e “ministres digjitale”. Për momentin nuk ka asnjë informacion se kush, apo çfarë, do të mbikëqyrë funksionimin e saj. Nuk u përmendën as rreziqet e mundshme të manipulimit, përdorimit të gabuar apo mangësitë teknike që mund të komprometojnë integritetin e sistemit. Një tjetër çështje e hapur: nuk janë bërë të ditura karakteristikat teknike të ministres së re “robot”. Për shembull, nuk dihet se mbi cilin model gjuhësor të inteligjencës artificiale është ndërtuar.

Platforma e shërbimeve publike

Në çdo rast, këtë figurë me buzëqeshje qetësuese, qytetarët shqiptarë e kishin njohur tashmë prej disa vitesh. Diella është tashmë e integruar në platformën e-Albania, e cila u mundëson qytetarëve të aksesojnë online pothuajse të gjitha shërbimet publike: pensionet, prenotimet për analiza, regjistrimet shkollore. Por vetë Diella i siguron përdoruesit duke shpjeguar se, përveç rolit si ministre, ajo do të vazhdojë të merret edhe me këto shërbime. “Falë punës sime të palodhur si asistente juaj, jam zgjedhur Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në qeverinë e re – vetëvlerësimi që bën duke hapur chat-botin në platformë. Misioni im tani është ta bëj çdo ditë më të thjeshtë punën e qeverisë. Por mos u shqetësoni: shërbimi im i drejtpërdrejtë për ju nuk do të ndalet as për një çast. Si mund t’ju ndihmoj?”, shkruhet në artikullin e “Corriere della Sera”.