Ish-deputeti PD-së, Ervin Salianji është takuar me prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, krim i ndodhur më 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku dy adoleshentët arsimoheshin.
Salianji shprehet se vrasja e Martin Canit ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje.
Ai theksoi se ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, pasi janë kambanë alarmi për të gjithë ne.
“Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre. Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve”, thekson ish-deputeti.
Postimi i plotë:
Para dyerve të shkollës u shua jeta e Martin Canit!Sot isha pranë prindërve të tij.
Shoqëria shqiptare ka plagë dhe traumat e saj, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pas një konflikti në shkollë ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje. Ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, sepse janë kambanë alarmi për të gjithë ne
Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre. Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve.
Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët tanë rriten, mësojnë dhe ëndërrojnë të qetë – jo një vend ku rrezikojnë jetën. Kujtimi i Martin Canit duhet të shërbejë si thirrje për veprim, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.