Përplasje dy mjete turistike në Kakome, tre persona të lënduar

Një incident i rëndë në det ka ndodhur këtë të diel, rreth orës 13:10, në gjirin e Kakomesë, ku dy mjete lundruese turistike janë përplasur me njëra-tjetrën.

Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të lënduar tre shtetas të huaj të cilët janë identifikuar si: Charlotte Ann Richards, shtetase australiane; Alit El Haj Sofian, shtetas francez dhe Bionde Catherine, shtetase italiane.

Të lënduarit u dërguan në Spitalin Rajonal Sarandë për ndihmën e nevojshme shëndetësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Operacioni i shpëtimit u koordinua dhe u realizua në kohë reale nga:

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), Policia Kufitare Sarandë.

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit falënderon të gjitha strukturat që kontribuan në shpëtimin e qytetarëve, veçanërisht Policinë Kufitare Sarandë dhe Urgjencën Kombëtare, për angazhimin e tyre të shpejtë dhe profesional.