Alarm në Poloni, avionët polakë dhe aleatë ngrihen për kërcënimin e dronëve rusë

Forcat ajrore polake dhe ato aleate u vendosën të shtunën në hapësirën ajrore të Polonisë në një operacion “parandalues”, për shkak të kërcënimit nga sulmet me dronë në zonat fqinjë të Ukrainës. Autoritetet njoftuan se u dha një alarm, i cili zgjati rreth dy orë përpara se të anulohej.

Incidenti ndodhi pas ngjarjes së të mërkurës, kur dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake dhe më pas u rrëzuan nga avionë luftarakë të NATO-s, ndërsa shqetësimet rriten për pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës, i cili ka nisur që prej shkurtit 2022.

Paralajmërime u lëshuan për pesë qarqe në rajonin Lublin. Njoftimet, të publikuara në një postim në X, lexonin: “Kërcënim nga sulmi ajror. Përdorni kujdes ekstrem. Ndiqni udhëzimet e shërbimeve. Prisni njoftime të tjera.”

Qeveria e Polonisë në një njoftim për qytetarët deklaroi se kërcënimit nga dronët rusë që veprojnë mbi Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë, po i përgjigjemi me operacione ajrore parandaluese.

Më vonë, Tusk deklaroi se ‘niveli i kërcënimit u anulua. Ne mbetemi vigjilentë.”

Zhvillimet e së shtunës lidhen me stërvitje ushtarake në rast të një sulmi të mundshëm dhe tregojnë se aleanca e NATO-s u druhet zhvillimeve të reja në kufi me Rusinë.