Dy shtetas shqiptarë janë ekstraduar nga Italia dhe Gjermania drejt Shqipërisë.
A. L., 29 vjeç, lindur në Dibër, u ekstradua nga Italia. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas caktimit të masës së sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2022-2024, A. L. ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme shtetas të ndryshëm për të kaluar kufijtë drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, në bashkëpunim me persona të tjerë.
F. B., 20 vjeç, lindur në Tiranë, u ekstradua nga Gjermania. Ai ishte dënuar dy herë nga Gjykata e Tiranës për vjedhje – njëherë me 8 muaj burg në vitin 2021 dhe më pas me 6 muaj burgim në vitin 2024.
Të dy ekstradimet përfaqësojnë një tjetër sukses të autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndjekjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.