Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa tha se gjendja e sigurisë në vend është e rëndë, për aq kohë sa në qytete të ndryshme kemi atentate. Ai theksoi se krimi është shqetësim në vendin tonë pasi ka marrë edhe jetë njerëzish të pafajshëm. Softa shtoi se në shumë raste, ngjarjet kriminale janë të pazbardhura.
“Në shumë raste, ngjarjet janë të pazbardhura. Atentatet e vitit 2025, siç është rasti i atentatit në autostradën Fier-Vlorë, nuk kemi ende autor. Ngjarjet e rënda tregojnë sërish se krimi është problem shqetësues. Nuk është ajo që tha kryeministri “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, pasi krimi është shqetësim për qytetarët e thjeshtë”, u shpreh Softa.
Ai tha gjithashtu se duhet masa më të forta lidhur me kontrollin e territorit, por nuk do t’i kemi kurrë nëse presim vetëm nga policia.
“Në çdo atentat kemi viktima banakierë, kalimtarë të rastit… Kontrolli i territorit vazhdon të jetë problem shqetësues. Si i tillë, kërkon masa më të forta, por nuk do t’i kemi nëse i kthejmë sytë vetëm nga Policia e Shtetit”, shtoi eksperti i sigurisë.
Sipas avokatit Alban Qafa, nuk është problemi te Kodi Penal, por Prokuroria dhe Gjykata që nuk e zbatojnë atë.