‘Boom’ i frikshëm në tregun e pronave/ Të huajt ‘blejnë’ Shqipërinë, investojnë 135 milionë euro në 3 muaj

Investimet e huaja në Shqipëri po kanalizohen veçanërisht në blerje pasurish të paluajtshme, dhe jo më në sektorët tradicionalë si energjia, apo industria nxjerrëse.

Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e dytë të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 398 milionë euro, me rritje prej vetëm 3 milionë euro në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

INVESTIMET E HUAJA DIREKTE

Prill-Qershor 2024 395 mln euro

Prill-Qershor 2025 398 mln euro

Rritja +3 mln euro

34% e këtyre parave u ‘hodhën’ në sektorin e pasurive të paluajtshme, ose gati 135 milionë euro. Praktikisht një në tre lekë të investuara në Shqipëri nga të huajt në periudhën prill-qershor 2025, shkoi për blerje pronash.

Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Ndërsa vala e blerjeve të apartamentet nga shtetas jo rezidentë, po vijon të shtrenjtojë pronat në vend.

Praktikisht e gjithë rritja e investimeve ka ardhur nga sektori i pasurive të paluajtshme pasi të gjitha fushat e tjera janë në rënie referuar shifrave të bankës.

Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 67 milionë euro ndjekur nga industria nxjerrëse me 43 milionë euro dhe më pas energjia 23 milionë euro dhe komunikacioni me 8 milionë euro investime të huaja në këtë tremujor të dytë të vitit.

INVESTIMET SIPAS SEKTORËVE (T2)
Pasuri të paluajtshme 135 mln euro

Ndërmjetësimi financiar 67 mln euro

Hidrokarburet 43 mln euro

Sektori i energjisë 23 mln euro

Sektori i Komunikacionit 8 mln euro

Ndërsa në gjashtë muaj vlera e investimeve të huaja direkte rezulton 760 milionë euro, me rritje prej 11 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Edhe si periudhë 6-mujore paratë e huaja dominojnë në sektorin e “real estate”.

INVESTIMET E HUAJA NË 6-MUJOR

Janar-Qershor 2024 749 mln euro

Janar-Qershor 2025 760 mln euro

Diferenca +11 mln euro