Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori Sindi Allushin, djali i Saimir Allushit, kryetar i njësisë administrative 12, pasi ka dhunuar fizikisht dhe ka kërcënuar në telefon një qytetar. Sipas policisë, konflikti ka nisur për çështje prone.
Po ashtu, është vendosur pezullimi i efektivit të policisë, pasi ndodhej në vendngjarje dhe nuk veproi. Pamjet e dhunës brutale u filmuan dhe publikuan në media ditën e sotme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë nr. 4, në përfundim të veprimeve proceduriale, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. A. 33 vjeç, dhe S. A., 52 vjeç si dhe shpallën në kërkim shtetasin S. A., 27 vjeç.
Paraditen e sotme, në zonën e Freskut, shtetasit S. A., 27 vjeç dhe kushëriri i tij, shtetasi P. A., për motive pronësie, kanë goditur me grushte shtetasin D. K.
Gjithashtu, dyshohet se shtetasi S. A. 52 vjeç, ka kanosur, nëpërmjet telefonit, shtetasin D. K.
Punohet për kapjen e shtetasit S. A., si dhe për gjetjen dhe bllokimin e automjetit me të cilin ai u largua nga vendi i ngjarjes.
Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka urdhëruar pezullimin nga detyra dhe nisjen e procedurave disiplinore ndaj punonjësit të Policisë, inspektor P. M., për shkelje të rëndë, për mosveprim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.