Ushtria izraelite nis ofensivën tokësore në Gaza, paralajmëron banorët të largohen

Ushtria izraelite e ka nisur të martën ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës, duke u futur dalëngadalë në qytetin më të madh të territorit palestinez, në të cilin janë rrënuar tashmë blloqe të tëra ndërtesash gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo ofensivë shënon një tjetër përshkallëzim të konfliktit që ka trazuar Lindjen e Mesme për gati dy vjet dhe mbase i zbeh edhe më shumë shpresat për arritjen e një armëpushimi. Ushtria izraelite nuk dha afat kohor për ofensivën, e cila sipas saj synon ta “shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit”, por mediat izraelite raportuan se ajo mund të zgjasë me muaj.

Ajo nisi në ditët kur ekspertë të pavarur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gazë. Izraeli e hodhi poshtë këtë akuzë, duke e quajtur raportin e ekspertëve “të shtrembëruar dhe të rremë”. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se “Gaza po digjet” teksa operacioni filloi, ndërsa bombardime të rënda goditën qytetin gjatë natës dhe në mëngjes të sotëm.

Kolona të gjata makinash dhe kamionësh të mbushur me dyshekë e gjësende të tjera u panë përgjatë rrugës bregdetare të Gazës, ndërsa njerëzit largoheshin nga qyteti. Disa hipnin mbi automjete të stërmbushura, ndërsa të tjerët ecnin në këmbë.
Në një vizitë të shkurtër në rajon, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se ka një “ka mbetur kohë shumë e shkurtër për t’u arritur ndonjë marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.

Një zyrtar ushtarak izraelit, që foli në kushte anonimiteti në përputhje me rregullat ushtarake, tha se ka nisur “faza kryesore” e operacionit në Qytetin e Gazës. Trupat izraelite po hyjnë në qendër të qytetit nga periferitë, sipas tij.
Paraprakisht, ushtria izraelite e bombardoi tërë natën këtë qytet, duke rrëzuar ndërtesa të larta.
Sipas tij, ushtria izraelite beson se në Qytetin e Gazës kanë mbetur rreth 2.000 deri në 3.000 militantë të Hamasit, si dhe tunele të përdorura nga grupi.