Dëmtimi rëndë i lirisë së medias/ Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Kuvendi plan për të kufizuar gazetarët dhe…

Përveç rregullores së brendshme, në Kuvendin e Shqipërisë do të ndryshojnë një sërë veprimtarish të tjera, të cilët lidhen drejtpërdrejt me median shqiptare. Sot është njoftuar që kamerat e televizioneve nuk do të lejohen më brenda në sallë e as që gazetarët të qëndrojnë në oborrin e Parlamentit pa pasur një hapësirë të dedikuar për ta.

Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar menjëherë lidhur me këto ndryshime duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë hallkave të tjera të përfshira në vendimmarrje, për të mos lejuar avancimin e këtij plani.

Duke paralajmëruar njoftimin e menjëhershëm të partnerëve ndërkombëtarë, AGSH thekson se kjo është një cënim dhe dëmtim i rëndë i lirisë së medias dhe gazetarëve i dhe e të drejtës qytetare për tu informuar.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar për një plan të mazhorancës socialiste në Kuvend për të kufizuar gazetarët dhe mediat.

Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.

AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.

AGSH i bën thirrje opozitës në Parlament që të përdorë të gjitha instrumentet për të mos lejuar një kufizim të tillë.

AGSH do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë për këtë përpjekje kufizuese të lirisë së medias.

AGSH i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani.

Oborri i Parlamentit dhe salla e tij janë “ishulli” i fundit që u ka mbetur mediave për të bërë pyetje dhe për të xhiruar pa regji.