Vrasja e Bujar Nasufit në Selitë dyshohet të jetë kryer për motive pronësie. “Mollë sherri”, sipas hetimeve, dyshohet të jetë bërë trualli i një banese, që dikur i përkiste babait të Nasufit, por ishte shitur tek familja Xhani, që ishin fqinjë të tyre.
Në momentin e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe, kompensimi prej rreth 30 mijë eurosh iu kalua llogarisë së familjes Nasufi, duke ndezur një konflikt të hapur mes dy familjeve. Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e dy personave , të cilët dyshohet se porositën atentatin. Ata janë vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.
Përveç akuzës për porositjen e vrasjes së Nasufit, ata lidhen edhe me ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, në gusht të vitit 2024. Elis Roshkodoli u ekzekutua më 30 gusht të vitit 2024, 14 plumba automatiku i morën jetën, teksa pinte kafe me mikun e tij në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, në Shkodër.
Arrestimi i vëllezërve Xhani u bë teksa po drekonin me krudo në një restorant në Gjirin e Lalzit, me disa personazhe të frikshëm të krimit.. Dy vëllezërit Voltan dhe Jurgert Xhani ishin në mesin e 7 personave që arrestoi RENEA në operacionin e 23 majit 2025. Operacioni që po zhvillohej për kapjen e të shumërkuarit Xhevdet Plaku, rezultoi një sukses edhe më i madh se ç’pritej.
Voltan Xhani, nga Përmeti, është i dyshuari kryesor për organizimin dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodolit, në 30 gusht të vitit 2024 në Shkodër. Ndërkohë që i vëllai i tij, akuzohet për veprat penale: “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Për vrasjen e Shkodrës, Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim, ndërsa nipi i tij Xhulio Malo, u arrestua për sigurim të kushteve për të kryer vrasje dhe pengim të zbardhjes të së vërtetës.