Policia e Gjirokastrës dha detaje në lidhje me rastin e efektivit të policisë në Këlcyrë, i cili dyshohet se kishte një raport intim me një të mitur.
Sipas policise ky i fundit është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ngacmuar të miturën, por lidhje intime me të ka pasur një tjetër person, i cili është arrestuar.
Ky i fundit, shtetasi me iniciale K. P., 46 vjeç dhe shoku i tij, shtetasi I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, po ashtu i arrestuar, dyshohet se kanë kanosur njerkun që t’iu jepte 1 000 000 lekë, për të mos i publikuar video me përmbajtje intime.
Në pranga është vënë edhe njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, për rreth 3 vjet, të miturën.
Po punohet intensivisht, në bashkëpunim me homologët grekë, për lokalizimin dhe kapjen e 53-vjeçarit, punonjësi policisë që dyshohet se ka ngacmuar 16-vjeçaren, i cili nga verifikimet rezultoi se është në Greqi.
Gjithashtu, në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Më tej, me qëllim trajtimin e plotë ligjor dhe të paanshëm të këtij rasti, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë. E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.
Në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me AMP-në, Policia e Gjirokastrës vijon hetime të thelluara për të individualizuar dhe provuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Reagimi i Agjencise se Mbrojtjes Policore:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) në bashkëpunim me DVP Gjirokastër ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit të caktuar nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjiroksatër për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual” dhe dy shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.
P. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Përmet.
A. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tepelenë (i shpallur në kërkim pasi është larguar ditën e djeshme në drejtim të Greqisë).
Shtetasi K. P., i dashuri i shtetases së mitur
Shtetasi I. P., shok me shtetasin K.P.
Pas indicjes nga një postim në rrjetet sociale, strukturat e hetimit të Drejtorisë Rajonale të AMP-së në bashkëpunim me DVP Gjirokastër kanë kryer veprimet e para hetimore, ku ka rezultuar se një vajzë e mitur me iniciale K.G., e nxitur nga i dashuri i saj shtetasi K.P., dhe shoku i tij shtetasi I.P., kanë shantazhuar punonjësin e policisë A.A., duke i kërkuar një shumë monetare prej 10 milion lekë të vjetra si këmbim për të mos publikuar një video intime të tij, e rregjistruar me aparat telefonik.
Gjithashtu nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësi i policisë P.B., (njerku i shtetases së mitur) prej disa vitesh ka pasur lidhje intime.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].