Sherri në Kuvend, Artan Hoxha: Rama u soll sot me opozitën më keq seç sillet Vuçiçi me deputetin shqiptar

Gazetari Artan Hoxha për kaosin e djeshëm në Kuvend, ku Edi Rama i hoqi fjalën opozitës dhe miratoi për 5 minuta qeverinë dhe programin e tij, u shpreh se, kreu i qeverisë po sillet më keq se presidenti serb Aleksandër Vuçiç me deputetin shqiptar, Shuaip Kamberi.

‘Ti po akuzohen në të gjithë Europën, në çdo raport se po ushtron censurë dhe kontrollon në mënyrë kapilare mediat. Dhe ti të vetmin vend që kanë ata, parlamentin, sepse në fund të fundit janë të mandatuar nga qytetarët, janë përfaqësues të tyre, dhe ti nuk i le ata të thonë një fjalë. Ti je i detyruar me ligj, kushtetutë, rregulloren e kuvendit që ti dëgjosh ata. Pasi të mbarojnë fut Diellën, hënën ça të të dojë kokrra e qejfit, por janë ata të parët.’, tha Hoxha.

Ai shtoi se, kur kryeministri nuk respekton as atë që bën Vuçiçi me Shuaip Kamberin në Serbi, ‘ti tregohesh më represiv se vet serbët ndaj shqiptarëve.’ Gazetari ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë do të bëjë opozita në seancën e radhës dhe për çfarë do të flasë aty, duke theksuar efektin e censurës së hapur:

‘Kur ti ushtron një censurë kaq haptazi para ambasadorëve, pa patur pikën e frikës fare, çfarë tregon ti me këtë gjë? Ti u tregon atyre se, keni bërë shumë gabim që keni ardhur. I vetmi shërbim i madh që kanë bërë ajo pjesë e deputetëve të opozitës është se, i kanë çjerrë edhe pudrën e fundit të gjoja demokracisë që i ka ngelur këtij kryeministri. Edhe një gjë më minimale që e përcakton kushtetuta, rregullorja e të gjitha e ke të detyruar të ua japësh, i censuron dhe këtu,’ vijoi Hoxha.

Ai përfundoi me një paralajmërim për marrëdhëniet e ardhshme me opozitën:

‘Atëherë kjo mbaroi, çfarë bashkëpunimi do me opozitën ti më. Ç’të bëjnë më ata që ti të thuash, jam dakord dhe të bisedojmë. Parlamenti serb nuk ia bën Shuaip Kamberit, e lë të flasë.’- tha Artan Hoxha