Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, dëshmon oficeri i lartë i Policisë, Deliallisi: Isha në arrestimin e Ramazan Rrajës, pati plan operacional! Dervishaj: Nga të erdhi informacioni?

Në procesin gjyqësor në GJKKO ndaj të pandehurve Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, për atentatin e 1 nëntorit 2019 në Durrës ndaj ish-prokurorit aktualisht deputet, Arjan Ndoj, Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe shoferit Andi Maloku që mbeti i vdekur, ka dëshmuar sot (19 shtator) edhe oficeri i lartë i Policisë së Shtetit, Bujar Deliallisi.

“Jam zv/drejtor policie në Durrës. Në vitin 2019 kam qenë i punësuar në Policinë Gjirokastër. Në 2023 deri në mars kam qenë në Korçë. Nga marsi deri më tani, në detyrën e zv/drejtorit. Ramazan Rraja ishte person në kërkim dhe kam marrë pjesë në aksion për kapjen e tij”, dëshmoi ai mes të tjerash në sallën e gjyqit.

Pyetjes nëse kishte pasur një plan operacioni, ai iu përgjigj:

“Po, ka pasur plan. Kemi bërë ndërhyrjen te zona e Fushë Krujës, afër Urës së Gjolës. Gjatë ndërhyrjes janë konstatuar dy persona. Gjatë ndërhyrjes u konstatuan dy persona. Njëri prej tyre ishte Ramazan Rraja. Tek të dy u gjetën armë zjarri në brez, konkretisht pistoleta”, tha ai.
I

Në këtë moment ka ndërhyrë i pandehuri Plarent Dervishaj.

“U gjetën dy armë, bëj pyetje nga i erdhi informacioni”.

Dervishaj dhe Meçe gjykohen mëvetësisht nga të tjerët, pasi për fashikullin e parë me të pandehur për atentatin është mbyllur procesi. Për shkak të ekstradimit nga Dubai, gjyqi ndaj tyre u mëvetësua.