Sali Berisha, në konferencën për mediat, u pyet edhe për veprimet që do të ndërmarrin pas seancën e djeshme, ku opozita shkaktoi kaos dhe socialistët votuan breenda 25 minutave programin dhe qeverinë e re.
Sipas Berishës, kësaj “narkoqeverie” si i referohet ai, do t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb në të gjitha format.
“Opozita e ka shumë të qartë se me këtë narkoqeveri, që ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, ka vetëm luftë frontale me të gjitha format e saj, në parlament, jashtë parlamenti dhe ne do i përgjigjemi dhëmb për dhëmb të gjithë kësaj përpjekje për të shtypur pluralizmin në Shqipëri.”, tha Berisha.
Më pas, kryedemokrati u pyet edhe për kandidatin e mundshëm të PD-së për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës. Ai tha se do t’i bashkojnë votat me maxhorancën për të votuar shkarkimin e Veliajt pasi sipas tij, një veprim i tillë është kërkuar prej kohësh nga ata që kur kryebashkiaku u arrestua.
“Qytetarët janë dëshmitarë se në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, këshilltarët e PD kanë kërkuar, kanë insistuar për shkarkimin e menjëhershëm të Erion Veliajt. Dhe nëqoftëse Edi Rama vendos të bashkojë votat me opozitën për shkarkimin e tij, ne natyrisht nuk mund të mos votojmë për plotësimin e asaj kërkese që ne e kemi bërë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak. E qartë kjo besoj? E qartë. Pra nuk jemi ne… se i kanë bërë tituj gati ata dhe sot kjo ka qenë ajo porosia e nëndheshme. Nuk jemi ne që po bashkojmë votat, janë ata që po vijnë tek ne.
Natyrisht jo për qëllimet tona, por vetëm për qëllimet e Edi Ramës. Edi Rama nuk mund ta mbajë Erion Veliajn si gur varri në qafë, do ta groposë përfundimisht dhe sa më parë.
Por ne do mbajmë të njëjtin qëndrim ndaj Edi Ramës. Mision i përmbushur me Erion Veliajn, tani radhën e ka Edi Rama me Lubinë. Të gjitha çështjet që ngrite këtu, do marrin përgjigje në ditët në vazhdim nga forumet dhe konsultat e PD, qoftë me forumet, qoftë me aleatët.”, tha Berisha.