Transfertat e parave në 41 shtete të Europës do të bëhen më të lira pas datës 7 tetor. Për të dërguar 100 euro, bankat do të mbajnë vetëm 1 euro komision, nga 10 që mbajnë aktualisht.
Aktualisht, nëse dërgon 100 euro nga Shqipëria në Itali përmes një banke apo zyre transfertash, shuma që arrin te marrësi është 88–90 euro.
Pjesa e munguar merret nga banka si komision, që arrin deri në 10%.
E njëjta logjikë aplikohet edhe për shuma më të mëdha, si për shembull 500 euro drejt Gjermanisë, ku komisioni mund të shkojë deri në 15 euro.
Por nga 7 tetori, këto tarifa do të bien ndjeshëm. Për të njëjtat dërgesa, komisionet e bankave do të variojnë nga 1 deri në 3 euro.
Me përfshirjen e Shqipërisë në sistemin SEPA, Këshilli Evropian i Pagesave ka publikuar listën e shteteve që do të përfitojnë nga komisionet e ulëta.
Në tetor, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia do t’u bashkohen vendeve të BE-së, Zonës Ekonomike Evropiane dhe disa vendeve të tjera evropiane jashtë BE-së.
Kjo do të thotë se komisionet e transfertave do të jenë të ulëta në 41 shtete, përfshirë 27 vende të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Zvicrën, Britaninë e Madhe, Monakon, San Marinon, Andorën dhe Vatikanin.
Sipas dokumentit zyrtar, institucionet shqiptare të licencuara nga Banka e Shqipërisë janë të autorizuara të marrin pjesë në skemat SEPA. Vlerësohet që qytetarët shqiptarë do të kursejnë deri në 20 milionë euro në vit nga komisionet.
Ky zhvillim përfaqëson një hap përpara në integrimin e tregut financiar shqiptar me atë evropian, duke rritur efikasitetin, ulur kostot dhe rritur sigurinë e transfertave ndërkufitare në euro.