“Shpiku ‘Diellën’ pasi askush nuk po i firmoste urdhrat e paligjshëm”- PD: Ministrja është vetë Rama, s’plotëson asnjë kriter ligjor

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat, u shpreh se kryeministri Edi Rama shpiku ministren e Inteligjencës Artificiale “Diella”, pasi sipas saj, askush nuk po i firmoste urdhrat e paligjshëm.

Deklarata e plotë:

Refuzimi i administratës publike për të zbatuar urdhrat e paligjshëm, ka sjellë shpikjen e ‘ministres virtuale’ Diella nga Kryeministri Rama.

Në kushtet e një presioni të vazhdueshëm mbi punonjësit e administratës publike gjatë qeverive Rama 1, 2 dhe 3, të cilët kanë refuzuar të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore në procedurat e prokurimeve publike, Kryeministri ka zgjedhur të krijojë një mekanizëm të ri informal: të ashtuquajturën ‘ministre virtuale’ Diella.

Sipas Kryeministrit, Diella do të garantojë që tenderat publikë të jenë 100% të pakorruptueshëm dhe tërësisht transparentë.

dekretimi

Por në thelb, kjo nismë ngre një sërë shqetësimesh serioze ligjore dhe kushtetuese:

Koncepti i ‘ministrit virtual’ nuk ekziston në asnjë nen të Kushtetutës apo ligjeve shqiptare. Emërimi, betimi dhe shkarkimi i një ministri rregullohet qartë në ligj, dhe nuk mund të zëvendësohet me një entitet të paidentifikuar ligjërisht.

Mungon çdo formë e përgjegjshmërisë ligjore apo institucionale për këtë ‘ministër virtual’. Kush e mbikëqyr Diellën? Kush mban përgjegjësi në rast shkeljesh ligjore apo dëmi ndaj financave publike?

Ligji për prokurimin publik përcakton qartë ndarjen e roleve dhe përgjegjësive. Nga titullari i autoritetit kontraktor, te përgatitja e fondit limit, hartimi i specifikimeve teknike, vlerësimi i ofertave dhe mbikëqyrja e zbatimit të kontratës – çdo hap është i rregulluar dhe i ndarë mes aktorësh të ndryshëm, për të shmangur pikërisht përqendrimin e pushtetit dhe abuzimet.

Kryeministri Rama ka përqendruar në mënyrë të paprecedentë të gjitha funksionet e sistemit të prokurimit në një dorë të vetme, në atë të Diellës, që në fakt është një zgjatim i vetë Kryeministrit.

Ky është thelbi i problemit me korrupsionin në tendera: jo sistemi elektronik i prokurimeve, i cili është i sigurt, dhe as legjislacioni ekzistues, por ndërhyrjet e vazhdueshme për të shpallur fitues operatorë të paracaktuar, në kundërshtim me kriteret e ligjshme të garës.

Dekreti i Presidentit të Republikës, konfirmoi zyrtarisht përfshirjen e Kryeministrit në ngritjen dhe drejtimin e kësaj strukture joformale, përmes të cilës ai synon të ushtrojë kontroll absolut mbi fondet publike.

‘Ministrja virtuale Diella’, ose ndryshe, vetë Edi Rama, nuk i plotëson kriteret ligjore për një administrim efikas, efektiv dhe ekonomik të burimeve publike.

Ky mekanizëm nuk garanton transparencë, ligjshmëri, apo mbrojtje ndaj keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë publike, përkundrazi, i hap rrugën abuzimit pa asnjë llogaridhënie.