Ligjvënësi amerikan paraqet amendament në Kongres: SHBA të mbështesë hyrjen e Kosovës në NATO

Kongresmeni amerikan, Brian Mast, i cili është dhe kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, ka paraqitur një amendament në Kongres në të cilin kërkohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Nga sa njoftoi Organizata “Albanians for America” me anë të këtij amendamenti të republikanit nga Florida, kërkohet po ashtu angazhim i shtuar i SHBA-së në Ballkan dhe një gjuhë e qartë në raport me rajonin. “Ky hap historik njeh rëndësinë strategjike të rajonit dhe përcakton prioritetet e qarta të politikës së SHBA-së”, theksohet aty. Dokumenti kërkon qartë:

Mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të ardhshëm në NATO.

Presion ndaj Serbisë për të reduktuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën

Ekspozim të bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin në teknologji dhe siguri

Zgjerimi të sanksioneve kundër atyre që pengojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Që nga fundi i luftërave në Jugosllavi në vitet 1990 SHBA kanë qenë gjithmonë ato, që në fund kanë zgjidhur shumë konflikte të vogla brenda dhe ndërmjet shteteve të rajonit. Por së fundi, tani jo vetëm vëzhguesit, por edhe shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor, pyesin se çfarë mund të ndodhë nëse Washingtoni zgjedh të mos e bëjë më këtë. Në një rast të tillë, pesha kryesore do të binte mbi Europën, e në Kongresin amerikan me sa duket, po insistohet që Washingtoni ta mbajë rajonin në fokusin e tij.