Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Selanik, ku një burrë 50-vjeçar ka mbytur motrën e tij 59-vjeçare dhe më pas ka telefonuar vetë Policinë për t’i rrëfyer krimin.
Vrasja ndodhi rreth orës 15:00 në një apartament në rrugën Aleksandri, në zonën Charilaou të Selanikut.
Sipas raportimeve, 50-vjeçari përdori një qese për të mbytur motrën, dhe menjëherë pas aktit të rëndë, ai kontaktoi Qendrën e Veprimit të Menjëhershëm, duke thënë: “E vrava motrën time”.
Policia mbërriti shpejt në vendngjarje dhe gjeti trupin pa jetë të viktimës, ndërsa autorit i vunë prangat në vend. Rasti është duke u hetuar nga Departamenti i Policisë lokale.
Sipas informacioneve të para, 50-vjeçari dyshohet se po vuan nga probleme të shëndetit mendor, megjithatë ende nuk është bërë e qartë nëse ai jetonte në të njëjtën shtëpi me viktimën.