Këshilli Bashkiak shkarkon Erion Veliajn nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës! PS e PD bashkojnë votat

Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë sot në mënyrë unanime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama të bërë në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku shpalli si kandidaturë Ogerta Manastirliun.

Ndërkohë i vetmi këshilltar opozitar që bëri rezistencë ishte Fabian Topollaj, i cili kërkoi që votimi për shkarkimin e kryetarit të bashkisë të bëhej me votim të fshehtë.

“Aktet individuale, siç është edhe ky duhet të bëhet me votim të fshehtë. Çdo vendim për një individ bëhet me votim të fshehtë”, tha ai.

Tashmë i takon Këshillit të Ministrave që të miratojë vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino tha se sot po bëhet detyra për ta çliruar Tiranën, nga ndalimi, siç tha ajo pa gjyq i Erion Veliajt.

“Sot ne po kryejmë detyrimin tonë, duke çliruar Tiranën prej ndalimit pa gjyq të kryetarit të bashkisë. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projektvendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj…”, tha kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino.

Në mbledhje ku u votua për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj nuk morën pjesë tre anëtarë, Joleza Koka, Aldo Merkoçi dhe Gazment Paja. Po ashtu mungonte edhe kryetarja në detyrë Anuela Ristani.

Erion Veliaj, tashmë i shkarkuar nga Këshilli Bashkiak nuk ishte i pranishëm në mbledhje, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.

Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme vendosi që Erion Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.

Pavarësisht shkarkimit, sipas nenit 115 të Kushtetutës, Veliajt i jepet e drejta të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Në këtë rast, vendimi i qeverisë pezullohet deri në shqyrtimin nga Gjykata.