Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Isai është marrë i pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike.
Kryebashkiaku i Kolonjës është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin 15 Janarit 2025, ku refuzoi të zbulonte për mediat arsyen e paraqitjes. I pyetur nga gazetarët mbi arsyen e thirrjes në SPAK, ai u shpreh se: “Kur të dal, nuk e di”.
Ai është marrë në pyetje për 3 orë nga Prokurorët e posaçëm edhe më 30 Maj 2023.
“Është një ngjarje e vjetër, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë. Kam qenë i thirrur si person në dijeni për një ngjarje.
Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, a lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni.
I takon prokurorisë se kë po heton, unë jam pyetur si person që ka dijeni. Hetuesit ishin në humor, pse të mos jenë në humor Ishte hera e parë në Prokurori, ishte këndshëm”, ka tha ai në atë kohë pas daljes nga SPAK.