I dyshuar si i përfituar nga trafikimi i drogës, sekuestrohet “Ferrari” me vlerë rreth 600 mijë euro! Ndalohet 30-vjeçari i dënuar në Turqi, si tentoi të fshihte mjetin

Është sekuestruar nga policia e Tiranës një mjeti tip “Ferrari” me vlerë rreth 600 mijë euro, pasi dyshohet se është përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Red”.

Sekuestrohet 1 automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i dyshuar i përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Në hetim drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi.

Ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.

Vihen në hetim dhe të dy të implikuarit në këtë rast.

Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Red”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas.

Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.