Ish-deputeti socialist i Tiranës, Xhemal Qefalia ka reaguar për lajmin e shpërndarë nga televizioni pranë familjes Berisha, duke përgënjeshtruar faktin se personat që rriheshin në aeroportin “Nënë Tereza” me punonjësit dhe policët, nuk janë nipat e tij.
Ai e drejton gishtin te Sali Berisha, për shpërndarjen e këtij lajmi të rremë, pasi sipas socialistëve televizioni që ka shpërndarë lajmin dhe pamjet zotërohet nga Shkëlzeni.
Xhemal Qefalia paralajmëron liderin demokrat se shumë shpejt do të përballen në Parlament, duke forcuar dhe më shumë zërat se ai do të jetë deputet i Partisë Socialiste edhe në këtë legjislaturë, duke marrë mandatin e Ogerta Manastirliut.
“Përgënjeshtrim! Shpifja e rradhës nga doktor Berisha: “Nipat e Xhemal Qefalisë godasin policët”. E kuptoj Doktor që je lodhur, por të paktën kurseja vetes këto vite që të mos merresh më me shpifje se s’ke kohë ti korrigjosh.
Ehhh mo Doktor, e di që të ka marrë malli se nuk më sheh në Parlament…por mos u shqetëso se shumë shpejt do të jem aty përballë”, shkruan politikani socialist, ish-deputeti i Tiranës, Xhemal Qefalia.