Rrëfehet ‘bankomati’ i mafies shqiptare/ Arrestohet nga policia: Jam informator, 400 mijë dollarët i kisha për të…

Një biznesmen italo-kanadez, i njohur për lidhjet e tij me mafien shqiptare, ka deklaruar përpara një gjykate në Ekuador se nuk është kriminel, por një informator. I ashtuquajturi Benny Colonico njihet edhe si ‘bankomati’ i mafies shqiptare, ndërkohë që në vitin 2023 u rrëmbye në mënyrë të frikshme nga restoranti i tij në Guajakil

Italo-kanadezi, i dyshuar si anëtar i mafies shqiptare, i arrestuar në një lagje të Samborondón më 17 shtator 2025, deklaroi se 400.000 dollarët falsë, që iu sekuestruan nga policia, do të përdoreshin në një hetim kundër narkotikëve, në të cilin ai merrte pjesë në cilësinë e një informatori.

Gjatë seancës për ngritjen e akuzws për veprën penale të “prodhimit, posedimit dhe trafikimit të mjeteve të destinuara për falsifikimin e monedhës”, qw dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet, avokati Erick Mejía kërkoi që prokuroria të dëgjonte klientin e tij.

“Dua të kërkoj që t’i jepet fjala të mbrojturit tim, në mënyrë që të shpjegojë diçka jashtëzakonisht të rëndësishme, që mund të ndryshojë rrjedhën e gjithë kësaj historie,” kërkoi avokati, pasi kishte vënë në pikëpyetje faktin që arrestimi ishte kryer nga Dinased (Drejtoria Kombëtare e Krimeve kundër Jetës, Vrasjeve të Dhunshme dhe Zhdukjeve), duke theksuar se “nuk ka pasur asnjë lloj vrasjeje të dhunshme, zhdukje apo rrëmbim”.

Pánfilo C., 52 vjeç, u arrestua gjatë një operacioni të Dinased, e cila bastisi banesën e tij në lagjen Aires del Batán, pasi kishte marrë informacion se aty banonte një i huaj që “në pronën e tij mund të kishte objekte të paligjshme për kryerjen e veprave penale”.

Gjatë kontrollit, agjentët e policisë ndaluan një roje sigurie dhe i gjetën një armë Glock 17, ndërsa brenda shtëpisë u gjet një kuti me fishekë ‘pun2’, një kalibër i pazakontë në vend, dy telefona celularë dhe kartëmonedha false prej 100, 50 dhe 20 dollarësh që arrinin një total prej 400.000 USD, si dhe pasaporta të Italisë, Kanadasë dhe Ekuadorit.

“Shtetasit Pánfilo C. u kërkua të justifikonte origjinën e provave të mësipërme, por ai nuk arriti të shpjegonte arsyen pse të gjitha këto objekte ndodheshin në banesën e tij,” thuhet në raportin policor.

Në të njëjtën seancë, avokati i tij kërkoi që gjykatësja Andrea Ordóñez të mos urdhëronte paraburgimin, por të vendoste përdorimin e një byzylyku elektronik si masë më të butë sigurie. Ai argumentoi se pasaportat i përkisnin shtetasve të ndryshëm, se nuk kishte rrezik arratisjeje dhe se mungesa e byzylykëve nuk mund të jetë përgjegjësi e klientit të tij.

Mbërritja në Ekuador dhe rrëmbimi i vitit 2023

I njohur në qarqet shoqërore të Guajakilit si “Benny”, Pánfilo u bë i famshëm për lidhjet e tij sentimentale me figura femërore të televizionit ekuadorian. Ai mbërriti në Ekuador në vitin 2020, pak para pandemisë, dhe më pas hapi një restorant italian në veri të qytetit.

Në 2023, ai u rrëmbye. Pesë ditë më vonë, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se rrëmbyesit e kishin kërcënuar me tortura, por e liruan pas pagesës së një pjese të shpërblimit. “Më pas u detyrova të mbyllja lokalin për shkak të kriminalitetit në këtë vend,” tha ai.

Në seancën e 18 shtatorit 2025, avokati i tij deklaroi se Pánfilo është i regjistruar në Njësinë për Luftën kundër Krimit të Organizuar (ULCO) dhe punon si informator. Ai shtoi se kartëmonedhat false ishin pjesë e një hetimi në të cilin ai po bashkëpunonte.

Pas mbylljes së restorantit, Pánfilo iu përkushtua eksportit të bananes në Evropë. Një ditë, gjatë ngarkimit të produktit, vuri re diçka të dyshimtë dhe njoftoi Policinë Kombëtare. Po atë natë mbërriti UNASE dhe një grup policësh nga ULCO, të cilëve ua dorëzoi informacionin.

“Unë nuk jam kriminel”

Që atëherë, ai ka vazhduar të bashkëpunojë me policinë, “duke dhënë informacione që kanë çuar në arrestimin e kriminelëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë”.

Natën e operacionit të 17 shtatorit, Pánfilo – ose “Benny” – tha se kishte marrë një telefonatë:

“Kam regjistrimin në telefon dhe ia dërgova grupit të ULCO-s. Ata e dinin që do të takoja dikë atë ditë. Kartëmonedhat false i përdornim si kurth për t’i nxjerrë trafikantët dhe për t’i arrestuar gjatë dorëzimit. Kjo është e vërteta.”

Para prokurorisë, ai theksoi se është “duke ndihmuar në luftën kundër kriminalitetit” dhe për këtë arsye ka marrë kërcënime të shumta. “Pothuajse nuk dal nga shtëpia, por vazhdoj të bashkëpunoj sepse kam shumë informacion. Unë nuk jam kriminel.”

Megjithatë, regjistrat gjyqësorë tregojnë se ndaj tij ka dhjetëra procese për borxhe, si dhe kallëzime për mashtrim, frikësim, vjedhje dhe shpërdorim besimi.

Avokati i tij e përdori statusin e informatorit për të kërkuar që të shmanget paraburgimi, duke thënë se ai ka frikë për jetën. “24 orë nuk janë të mjaftueshme për të mbledhur informacion kaq të vlefshëm si ai që ka ULCO.”

Vendimi i gjykatëses

Megjithatë, gjykatësja Andrea Ordóñez nga Njësia Gjyqësore Multikompetente e Samborondón urdhëroi paraburgimin, duke deklaruar se nuk janë paraqitur prova që vërtetojnë statusin e tij si informator.

“Nuk është paraqitur asnjë dokumentacion që të vërtetojë ose të lejojë të hamendësohet se i pandehuri është informator. Ajo që kam deri më tani është ajo që ka deklaruar mbrojtja, e cila është zotuar ta justifikojë këtë gjatë zhvillimit të hetimit prokurorial”.

Gjykatësja caktoi për 7 tetor seancën e gjykimit dhe urdhëroi që Pánfilo C. të transferohet në burgun e Litoralit, duke kërkuar që aty të “garantohet integriteti fizik, psikologjik dhe moral i tij, duke marrë parasysh pretendimet për një kërcënim të mundshëm ndaj jetës së tij”.