Shkarkimi i Erion Veliajt sot me vendim të qeverisë, lëvizjet brenda PS! Edi Rama paralajmëron katarsis në Bashkinë e Tiranës

Një ditë pas shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli Bashkiak, Kryeministri Edi Rama mblodhi dje ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës.

Para të zgjedhurve socialistë, Rama vuri në dukje se shkarkimi i Veliajt ishte një vendim i detyrueshëm për shkak të situatës në të cilën ndodhet kryeqyteti.

“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia në lidhje me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm, por të detyrueshëm për fatin e kryeqytetit të Shqipërisë. Këshilli Bashkiak, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja dhe rindezjes me orë të plota të makinerisë së Bashkisë Tiranë. Janë thënë dhe llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata, të cilëve iu ka rënë Diella në kokë, as me ata të cilët shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi ndalohet t’ia paraqesë programin me metodat famëkeqe të rrylave të fytit dhe bërrylave në sallën e Kuvendit, dhe as me ata që tri herë rresht nuk e mundën dot Erionin me karikaturat e tyre mediatike, që sot fryjnë gjokset me sebepin e një letre anonime ndaj një kundërshtari me duar të lidhura dhe këmbë.

Qoftë tezgat dhe pasqyrat linçuese ndaj tij, qoftë procesi i drejtësisë kundër tij, nuk janë tema ku ne mund të ndërhyjmë si palë. Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është që mos të marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë dhe punët e tij. Tema jonë është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun përditë e më të dëshpëruar në Bashkinë e Tiranës”, – tha Rama.

Ai dha porositë që të nisë puna për të shkuar drejt zgjedhjeve për kryetarin e ri të bashkisë.

“Tema jonë si PS është sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë. Me kandidaten e duhur dhe me organizimin e mbështetjen e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Më vjen shumë mirë që, siç edhe ju të gjithë, kandidatura e Ogertës ka qenë mbështetje e plotë e familjes sonë politike. Ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë dhe janë me një mendje që është radha e saj për të udhëhequr Tiranën”, – deklaroi Edi Rama.

Ai u ndal po ashtu në mbështetjen që ka deri më tani edhe në publik kandidatja zyrtare tashmë e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu.

“Aq e fortë është mbështetja për Ogertën, sa është pa interes kush do të jenë kandidatët rivalë që do hyjnë në garë të humbur dhe do dalin edhe më të humbur. Edhe nga anketimi në Tiranë është e qartë që shumica e qytetarëve e kanë hallin te problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga Bashkia e Tiranës”, – tha ai.

Në takimin me ministrat dhe deputetët e PS, Kryeministri Edi Rama theksoi se është me domosdoshmëri zgjedhja e një kryetari të ri në krye të Bashkisë së Tiranës. Në fjalën e tij, Rama renditi një sërë punësh që kanë nevojë për vëmendje, të tilla siç janë kopshtet, çerdhet, transporti publik etj. Një shembull që Bashkia e Tiranës ka nevojë për udhëheqje është dhe rënia në nivelin më të ulët historik e prokurimeve publike.

“Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë për motivim të njerëzve. Mjafton të shohësh rënien dramatike të nivelit të investimeve. Kjo shtuar dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë së Tiranës, siç bëmë në bashkitë e tjera, kërkon legjitimin e udhëheqjes së re që mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore dhe të cilën ne do ta adresojmë në paketën e re që do kalojmë në qeveri që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal”, – theksoi Kryeministri Edi Rama.