Kryeministri britanik Sir Keir Starmer do të njoftojë së shpejti një plan të ri për vendosjen e një dokument identifikimi dixhital për të gjithë të rriturit në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të forcuar kontrollin e emigracionit të paligjshëm dhe tregut të punës në ekonominë e zezë.
E ashtuquajtura “Kartë Britanike” do të funksionojë si dëshmi zyrtare e së drejtës për të jetuar dhe punuar në vend dhe do të jetë e lidhur me një bazë të dhënash qendrore, ku autoritetet do të mund të verifikojnë statusin e individëve. Dokumenti dixhital do të jetë i detyrueshëm për të gjithë ata që kërkojnë të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas burimeve nga qeveria.
Aktualisht, punëtorët duhet të paraqesin dokumente fizike identifikimi, por zyrtarët janë të shqetësuar për mundësinë e falsifikimeve dhe dobësitë që paraqet ky sistem.
Sipas planit të ri, agjencitë e zbatimit të ligjit do të kenë akses në informacionin mbi kontrollet e kryera, çka do të mundësojë identifikimin dhe ndjekjen më efikase të personave që punojnë ilegalisht.
Për të hyrë në fuqi, skema do t’i nënshtrohet fillimisht një konsultimi publik dhe miratimit të legjislacionit përkatës në Parlament. Sipas raportimeve, Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood mbështet plotësisht iniciativën, ndërsa më herët Starmer ka qenë skeptik, për shkak të ndikimit të mundshëm në liritë civile – një shqetësim i zakonshëm në debatet për dokumente identiteti në Mbretërinë e Bashkuar.
Mbështetje për këtë qasje kanë shprehur edhe figura të tjera nga Partia Laburiste. Deputetja Harriet Harman deklaroi në korrik për Sky News se vendosja e kartave të identitetit do ta bëjë “më të vështirë për njerëzit të punojnë ilegalisht”.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu ka theksuar se mungesa e një sistemi identifikimi në Britani ka funksionuar si nxitje për migracionin ilegal, duke e bërë vendin një destinacion tërheqës për kalimet e Kanalit nga migrantët që shpresojnë të punësohen në ekonominë informale.