Zbulohet magazina në Tiranë ku fshihej droga, në pranga 5 anëtarë të grupit kriminal! Pakot me lëndë narkotike brenda në valixhe, sekuestrohen armë dhe…

Pesë persona kanë rënë në pranga pas zbulimit të një magazine të vjetër ku fshihej drogë dhe përgatitej për shitje në doza.

Të arrestuarit me iniciale Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë, janë anëtarë të grupit që kryente këto veprimtari kriminale.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Warehouse”.

Zbulohet një magazinë ku fshihej lëndë narkotike dhe përgatitej për shitje në doza.

Sekuestrohen 9 kilogramë Cannabis Sativa, sasi Kokaine, 2 armë zjarri, 2 armë të ftohta, 2 automjete, 6 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihen në pranga 5 shtetas, anëtarë të grupit që kryente këto veprimtari kriminale.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.

Në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit R. K., me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë. Nga hetimet dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga shtetasi Xh. Z., në bashkëpunim me shtetasen A. K.

Gjaë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit A. C. dhe E. Gj. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi E. Gj. iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.