Si transkriptimet e SKY ECC zbardhën rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit në 2020

SPAK ka arritur të zbardhë rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 ndërsa ka lëshuar katër urdhër-arreste. Në kuadër të operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë, Forcat operacionale dhe Forca Kombëtare e Sigurisë kanë ushtruar kontrolle në disa qytete të vendit, përfshirë edhe lokalin “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit, në Tiranë.

Hetimet janë drejtuar nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra, të cilët kanë siguruar prova dhe të dhëna të mjaftueshme që çuan në identifikimin e autorëve dhe urdhëruesit të dyshuar të krimit. Sipas SPAK, porositës i rrëmbimit dhe vrasjes dyshohet të jetë shtetasi Aurel Hoxha, pronar i lokalit Monopol, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie, së bashku me tre persona të tjerë.

Aurel Hoxha dyshohet se ka porositur rrëmbimin dhe vrasjen e të riut si hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, e ndodhur në Angli në vitin 2012. Klevis Lleshi rezulton të jetë viktimë e një konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm mes dy familjeve, Hoxha dhe Lleshi, saga e të cilit ka nisur në vitin 2012 me vrasjen e Agim Hoxhës në Angli. Deri më tani, përplasjet mes këtyre fiseve kanë lënë të paktën pesë viktima, përfshirë edhe Arben Lleshin, i vrarë brenda burgut të Peqinit.