Dronë të cilët dyshohet se drejtohen nga Serbia janë vërejtur në veri të Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR. Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, u shpreh Hoxha.