Ishte kthyer në “makth”, arrestohet 53-vjeçari! Dhunoi një të ri dhe tentoi ta godiste me thikë! Gjithashtu dëmtoi pronat një tjetër personi, e priti me sëpatë në dorë

Policia ka arrestuar një 53-vjeçar, i cili ishte kthyer në makth në fshatin Kosmaç të Vaut të Dejës.

Ardian Garubi raportohet se ditën e djeshme ka goditur me grushte një 28-vjeçar dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta.

“Dje, ka kallëzuar një 28-vjeçar se ky shtetas e ka goditur me grushte dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta”, informuan blutë.

Gjithashtu Ardian Garubi është denoncuar nga një tjetër person se i kishte dëmtuar pronat dhe e ka kërcënuar me sëpatë, atë si edhe familjarët e tij.

Sipas 63-vjeçarit, i arrestuari i ka thyer xhamat e furgonit dhe të vetratës së dyqanit si edhe ka dëmtuar një automjet tjetër gjatë muajve prill-shtator 2025. Ndërsa më 23 Shtator, ai e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë.

“Gjithashtu, dje, ka kallëzuar një 63-vjeçar, se gjatë muajve prill dhe shtator 2025, shtetasi A. G. i ka thyer xhamat e furgonit dhe të vetratës së dyqanit dhe ka dëmtuar një automjet tjetër, ndërsa më datë 23.09.2025, e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë”, raporton policia.

Gjatë kontrollit në banesën e Ardian Garubit, shërbimet e Policisë kanë gjetur 4 mjete prerëse (3 thika dhe 1 sëpatë), të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Njoftimi:

Vau i Dejës/Ndërhyrja e Policisë parandalon ngjarje të mundshme kriminale.

Arrestohet në flagrancë një 53-vjeçar që dhunoi fizikisht një shtetas dhe tentoi ta godiste me thikë.

53-vjeçari dyshohet se më parë ka dëmtuar pronat e një 63-vjeçari, ka tentuar të kanosë atë dhe familjarët e tij, me sëpatë.

Sekuestrohen 3 thika dhe 1 sëpatë, të cilat u gjetën në banesën e të arrestuarit, me precedent penal për shkatërrim prone.