DËSHMIA TRONDITËSE/ Plagosi kolegun me gërshërë, precedentët e frikshëm të radiologut të Sanatoriumit: Bën orgji me vajza në dhomat e spitalit, morfinat i pi kur ngel pa lekë

Kjo javë ka nisur me një ngjarje të rëndë, që mund të kalonte fare në heshtje nëse nuk do të kishte të përfshirë dy punonjës të sistemit shëndetësor.

Mikel Osmani është 37-vjeçari i plagosur paraditen e së martës në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Ky i fundit është goditur me mjet prerës (thikë), nga laboranti Dashamir Çajka, një emër i njohur për Policinë e Shtetit, me precedentë të mëparshëm.

Sipas asaj që është publikuar në media, në vitin 2017, në moshën 23-vjeçare, ai ka tentuar të vetëvritet me armë, duke qëlluar veten në kraharor. Ndërkohë, në vitin 2023, ai është akuzuar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes si personi që ka sulmuar me thikë trajnerin e ekipit kombëtar Bashkim Nikolla dhe sportistin Bekim Gripshi.

Këto fakte i përkasin të shkuarës jo shumë të largët të këtij 32-vjeçari që, me sa duket, ka pasur një vazhdimësi shpërthimesh agresive, të cilat kulmuan me rastin e fundit.

Gazetarja e “Piranjave”, Luela Gaxhja, sjell dëshmitë e dy personave pjesë e stafit mjekësor në Sanatorium. Këta të fundit denoncojnë dhunën dhe papërgjegjshmërinë e kolegut të tyre, duke akuzuar edhe drejtoreshën e këtij spitali si person që ka dijeni për sjelljen e dhunshme të Çajkës.

“A nuk e di drejtoresha që ai konsumon kokainë, heroinë dhe bën orgji me vajza me pagesë në spital, duke i futur nëpër dhoma? Se vetë kolegët e tij e kanë kapur. E dimë të gjithë, dhe s’e di drejtoresha? Ky vjedh ilaçet, morfinat, se i pi vetë. Kur s’ka lekë, i merr dhe ia bën vetes. Ai është i pakomandueshëm, nuk e orienton dot veten e vet,” – shprehet njëri nga dëshmitarët.

Sakaq, ky i fundit shprehet se Çajka ka mbështetje politike nga individë të Partisë Socialiste, si kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli.

Në lidhje me marrëdhënien e Çajkës me Osmanin, personin e plagosur paraditen e së martës, dëshmitari tregon se ka qenë për arsye banale:

“Ky djali shoqëron pacientët me karrocë tek mjekët nëpër dhoma. Siç duket kishin ndonjë fjalë… (lekë)…” – shprehet dëshmitari.

Dëshmitari flet edhe për një tjetër konflikt të dhunshëm me një nga mjekët aty:

“Moj, ka CV të pasur ky, kë s’ka godit. Një shoferi, para nja 7 vitesh, i ka nxjerrë armën. E di i gjithë spitali. Mjeku E*** është një nga personat më të qetë aty, dhe ky u zu me të për një parking, i nxorri armën dhe e terrorizoi.”

Por ajo që na bën të dyshojmë edhe më shumë është se mjeku në fjalë thotë se drejtoresha Bala është në dijeni të situatës dhe nuk ka marrë asnjë masë.

“Shkova tek drejtoresha që nesër pasnesër të mos thoshte ‘nuk di gjë’. Ajo s’mori asnjë masë,” – shprehet mjeku i dhunuar.

Çfarë thotë drejtoresha?

Për këtë situatë u interesuam pranë drejtorisë. Në një intervistë për “Piranjat”, Silvana Bala shprehet se nuk ka pasur dijeni për sjelljen e dhunshme të Dashamir Çajkës dhe se nuk ka marrë asnjë ankesë në zyrë nga mjeku i kërcënuar, pavarësisht se thuajse i gjithë personeli i spitalit është në dijeni.

A mund të ishte parandaluar kjo dhunë?

A mund të ishte parandaluar kjo dhunë mes bluzave të bardha, që për pak desh u kthye në tragjedi?

Këtë nuk mund ta themi ne, por ajo që dihet me siguri është se mjekët dhe infermierët e spitalit “Shefqet Ndroqi” e kanë fare të qartë panoramën e asaj që ka ndodhur – madje njohin mirë edhe përgjegjësit.

Për këtë ngjarje janë ngritur shumë pikëpyetje mbi përgjegjësinë e strukturave drejtuese të spitalit dhe se si ka mundësi që një person me një dosje të tillë problematike të vijojë të punojë në një institucion publik shëndetësor.

A ka mungesë të kontrollit dhe monitorimit të punonjësve? Pse nuk janë marrë masa për parandalimin e dhunës dhe çrregullimeve nga një person me precedentë të tillë penalë e mendorë?

Për më tepër, kjo ngjarje shton dyshimet mbi ndikimet politike në punësime dhe në mbrojtjen e personave me sjellje të rrezikshme.

Nëse stafi ka bërë denoncime të brendshme dhe drejtoria është treguar e pafuqishme ose e painteresuar, atëherë kemi të bëjmë me një dështim institucional, që kërkon ndërhyrje urgjente nga instancat më të larta të shëndetësisë dhe ligjit.

Ky rast është një thirrje alarmi për të gjitha institucionet shëndetësore në vend, që të vendosin standarde të qarta kontrolli dhe sigurisht përgjegjësi për ata që i shkelin rregullat dhe vënë në rrezik jetën e kolegëve dhe pacientëve.

Në fund të ditës, shëndetësia nuk është një vend për të toleruar dhunë, drogë, imoralitet dhe as papërgjegjshmëri politike.