Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një intervistë për Klan Kosova, ka folur lidhur me gjykimin në Hagë t ëish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Për Ramën, i gjithë procesi gjyqësor i kryer nuk është demokratik, çka e cilëson si diçka shumë të rëndë.
“Procesi nuk është demokratik, dhe kjo është shumë e rëndë. Që procesi gjyqësor nuk është demokratik, është shumë, shumë e rëndë”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, procesi gjyqësor nuk është demokratik që nga fillimet e saj, duke nisur që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, e deri tek burgimi i tij me justifikimin e mundësisë së kërcënimit të dëshmitarëve. Më tej, Rama sqaron nuk ka pasur asnjë provë për kërcënime të mundshme, teksa shton se nuk është demokratike përgjimi në sallën e takimeve. Të gjitha këto, ai i cilëson si të pakuptimta.
“I gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi. Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akzuë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që s’ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Domëthënë, gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta”, u shpreh Rama.
Kështu, Rama shprehet në fjalë të tjera se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk duhej të rrinte duarkryq para një padrejtësie të tillë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në të kundërt, sipas Ramës, i gjithë ky proces gjyqësor i zhvilluar deri më tani, nuk do kishte ardhur deri këtu kaq lehtësisht nëse do të kishte reagimet e nevojshme nga ana e Kosovës.
“Në asnjë vend demokratik, një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot përpara kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore, nuk do të qëndronin duarkryq përpara një procesi të tillë”, tha kryeministri Rama.