“Rama u kthye nga Aruba me një orë 400 mijë euroshe, me diamante e safirë”, Berisha: U takua me narkoterroristë, bëri marrëveshje për…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për mediat nga selia blu, ku ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me një takim të pretenduar në Aruba, të cilin ai e cilësoi si “flagrant dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare”.

Berisha deklaroi se ky takim është “dëshmia më flagrante ndërkombëtare e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të Edi Ramës me grupe narkoterroriste shqiptare dhe ndërkombëtare”, të shpallura sipas tij organizata terroriste nga SHBA.

“Takimi i Arubës përcillet në heshtje varri nga Edi Rama dhe narkoministrat e tij. Ai po përpiqet ta arkivojë në harresë, por kjo nuk do të ndodhë,” tha Berisha para gazetarëve.

Duke e konsideruar Arubën si një “moment kritik në përforcimin e narkoshtetit shqiptar”, Berisha tha se opozita është “totalisht e përkushtuar për transparencë të plotë”, duke akuzuar Ramën se ka bërë marrëveshje me kartele të drogës për të shndërruar Shqipërinë në një parajsë për paratë e krimit.

Sipas tij, pas këtij takimi të supozuar, Rama është kthyer në Shqipëri me një orë luksoze 400 mijë euroshe, të zbukuruar me diamante dhe safirë – një deklaratë që nuk është e mbështetur me prova të bëra publike deri tani.

Berisha vijoi më tej duke e krahasuar rolin e kryeministrit shqiptar me atë të presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke thënë se Rama është bërë “kryetari i parë i një narkoshteti në Europë”.

Në vijim, kreu i opozitës përmendi edhe reagime ndërkombëtare ndaj krimit të organizuar, duke përshëndetur vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i shpallur kartelet e drogës organizata terroriste, si dhe masat e marra nga presidenti i Francës, që sipas tij, ka aktivizuar njësitë speciale të ushtrisë për të luftuar grupet kriminale.

“Këto zhvillime tregojnë se kartelet e drogës dhe organizatat kriminale përbëjnë rrezik madhor për sigurinë e vendeve dhe paqen në botë. Shqipëria nuk mund të qëndrojë jashtë këtij alarmi,” përfundoi Berisha.