Noka-Peleshit: Ke zakon të keq, nuk je sufler i deputetëve ndaj mos ndërhy! E ke kthyer Parlamentin në stallë, raporti i DASH ju nxin

Deputeti i Partisë Demokratike ka zhvilluar një debat të fortë në Parlament duke akuzuar kryeparlamentarin Niko Peleshi se e kishte kthyer Kuvendin në një stallë.

Shkak u bë ndërhyrja që kryeparlamentari i bëri ligjvënësit opozitar teksa ai mbante fjalën për shkeljen e rregullores nga mazhoranca, duke futur 17 projektligje brenda një dite pa dakordësinë e opozitës.

“Mos e trajtoni si çështje ping-pongu atë të Parlamentin. Keqardhje kur sheh se si spikeri i parlamentit drejton dhe menaxhon seancat plenare dhe Parlamentin. Ka Kushtetutë dhe një rregullore se si duhet të funksionojë Parlamenti. U mbajt Konferenca e Kryetarëve por nuk pati asnjë dakordësi siç tha kreu i grupit të mazhorancës, u kërkuan nga ne pika që nuk u pranuan… (ndërhyn Peleshi)”, tha Noka mes të tjerash.

Pasi ndërhyn kryeparlamentari, Noka i kthehet duke i kujtuar se nuk ishte sufler:

“Ke zakon të keq, nuk je sufler që t’i ndërhysh çdo deputeti. Mos ndërhy më lër të flas, kur të mbaroj unë ndërhyni ju…”.

Më tej deputeti demokrat vijoi fjalën e tij duke denoncuar mazhorancën për futje të rendeve të ditës në kundërshtim me rregulloren, pa debat dhe dakordësi.

“Ke futur 17 projektligje që nuk i ke diskutuar, nuk është në përputhje me rregulloren. Zotëri ky është parlament, po e trajtoni si stallë e jo parlament. Ndaj ne jemi këtu për të qëndruar dhe për të mos e lejuar, për ta ndaluar. Ka një muaj populli nuk di programin, çfarë do ofroni ju. Vetëm raporti i DASH ju nxin e ju tregon çfarë fytyre keni sepse ju fshihni gjithçka që të mos merret vesh asgjë. Ndaj respektoni rregulloren”, përfundoi Noka.