Deputeti demokrat Klevis Balliu iu përgjigj kryeparlamentarit Niko Peleshi, që i tërhoqi vëmendjen për fjalën hapëse në seancë, ku përdori epitetin “gjatosh” për kryeministrin, duke kërkuar prezencën e tij në Kuvend për çështjen “Aruba”, duke sqaruar se ajo fjalë në fjalorin shqip tregon përkëdheli.
“Fjala gjatosh, ose gjatush, si emër dhe mbiemër është me kuptim në fjalorin shqip dhe tregon një fjalë me ngjyrim përkëdhelës. Ju e kishit shqetësimin për fjalën Aruba dhe thelbi është Aruba. Pra si ka mundësi që një qeveri gjen kohën për të marrë çarterin për të shkuar në Aruba por kryeministri nuk ka kohë të vijë në Parlament”, tha Balliu.
Kurse deputeti tjetër demokrat, Luçiano Boçi, i kujtoi kryeparlamentarit se edhe Edi Rama në seancën e parë fyeu deputetin Balliu duke i thënë “Fari”. Ai ironizoi edhe ministrin Toni Gogu, që tha se ishin 19 projektligje dhe jo 17, duke i kujtuar fjalën “Aleluja”.
“Ku jeni kaq të prekshëm dhe të intimiduar, pse nuk u ngritët ju e t’i thoshte zotit Balliu si “Fari” apo në emër të babait, ku keni parë ju t’i drejtohemi deputetëve ashtu këtu. Çështja është të mos mashtrosh në Kuvend. Nuk thamë ne 17, e tha kryetari i parlamentit, ndaj i kujtoj ministrit Gogu se nuk e thamë ne atë, por “Aleluja”, u bënë 19, sa mirë për ju”, tha ligjvënësi mes të tjerash.
Boçi kërkoi gjithashtu edhe tërheqjen e projektligjit për barazinë gjinore nga mazhoranca, duke thënë se nuk është në prioritetet e BE-së, duke u shprehur se ky ligj do të dëmtojë familjen shqiptare.