I zhdukur që prej 13 shtatorit/ Vëllai i 22-vjeçarit: Mund ta kenë marrë për trafik organesh

22-vjeçari Elkrist Kola nga Fushë Arrëzi rezulton i zhdukur që prej 13 shtatorit, teksa një ditë pas zhdukjes, babai i tij, shtetasi Z. Kola, 63 vjeç, bëri kallëzim në Polici ku kërkoi ndihmë për gjetjen e të birit, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

Që prej vdekjes se nënës, i riu shfaqi probleme të shëndetit mendor, por që as nuk ishte agresiv e as nuk largohej për të mos u kthyer në banesë.

I vëllai i tij, Denis Kola, në një prononcim për mediat tregon se për herë të fundit, Elkristi ka komunikuar me babain e tij, ku i ka thënë se do e merrte një burrë, edhe pse nuk e njihte atë.

Sipas tij, Elkristi në momentin e largimit kishte marrë dhe telefonin e babait, por edhe pse telefoni ra gjatë 24 orëve të para pas humbjes, ai nuk u hap asnjëherë deri sa u fik.

Denis Kola shpreson në angazhimin më të madh të institucioneve shtetërore, ku kërkon që të pakten të zbardhen tabulatet telefonike nësë vëllai i tij ka komunikuar me ndonje person pas largimit dhe pse nuk gjendet qeliza e telefonit.

“Vëllai im është larguar nga banesa me 13 shtator, afërsisht rreth orës 19:30-20:00 dhe përpara se të largohej ka komunikuar me babain tim dhe i ka thënë se do dal se një burrë do të vijë të më marrë. E ka pyetur babai se kush është ai burrë, ai ka thënë se nuk e njoh.

Unë mendoj se nga ajo çfarë i ka thënë babait, mendoj se mund ta ketë ikur, ose mund ta ketë marrë dikush. Edhe faktin që nuk e ka kapur asnjë pjesë të kamerave, dhe nuk e ka parë askush, unë mendoj se mund ta ketë marrë dikush. Nuk e di nëse mund të konsiderohet rrëmbim apo jo, por mund të jetë për arsye të ndryshme, mund ta shfrytëzojnë për ndonjë gjë, ose mund t’i shesin organet. Mendoj se edhe mund të ketë bërë ndonjë aksident, mund t’i ketë ndodhur diçka.

Të paktën të zbardhin tabulatet telefonike, ta dime me kë ka folur në ato momente, se ai nuk është larguar kështu tak-fak”

I lodhur nga kjo situatë, Denis Kola të cilit tashmë i ka mbetur vetëm babai shpreson se vëllai i tij të jetë akoma gjallë, por sido që të jetë, ai kërkon që të dijë se çfarë ndodhi me vëllain e tij.

“Shpresoj që ai të jetë gjallë, por dhe në qoftë se nuk është gjalle, shpresoj të paktën, ta gjejmë çfarë ka ndodhur, ta stakojmë edhe ne mendjen, mos na rrijë edhe ne mendja gjatë gjithë kohë, a thua a është gjallë, apo ka vdekur, a është këtu, a është atje”.