Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka hedhur poshtë shqetësimet e Ukrainës për shkelje të hapësirës ajrore nga dronë hungarezë.
Gjatë një podcasti të partisë në pushtet Fidesz, Orbán komentoi me ironi incidentin e dronëve, duke deklaruar se Ukraina nuk është një shtet i pavarur.
“Le të themi që fluturuan disa metra brenda (në Ukrainë), e pastaj çfarë?”, duke shtuar më tej:
“Ukraina nuk është shtet sovran… nëse Perëndimi ndalon ndihmën financiare, ajo rrëzohet brenda ditës.”
Sipas Orbán, Kievi e ka humbur tashmë një të pestën e territorit nga Rusia, dhe mbijeton vetëm falë mbështetjes perëndimore. Ai shtoi se, megjithëse Hungaria dhe Ukraina kanë dallime, ato “nuk janë armiq”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit, sidomos pas bllokadës hungareze ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm të Budapestit me Moskën në fushën e energjisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, urdhëroi një hetim për dronë të dyshuar hungarezë që sipas raporteve, kanë kaluar kufirin për të spiunuar struktura industriale.
Kryediplomati hungarez, Péter Szijjártó, reagoi ashpër, duke akuzuar Zelenskyn se është i fiksuar me urrejtjen ndaj Hungarisë.
Orbán, nga ana tjetër, minimizoi incidentin, duke deklaruar se Ukraina duhet të përqendrohet tek dronët në kufijtë lindorë, aty ku po zhvillohet lufta me Rusinë.
“Nuk do ta sulmojë askush nga këtu. Disa dronë, më shumë apo më pak, nuk janë problem real për Ukrainën”, tha ai.