SHBA-ja po shqyrton kërkesën që të dërgojë raketa “Tomahawk” në Ukrainë, reagon ASHPËR Moska

Rusia tha sot se ushtria e saj po analizonte nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do te furnizonin Ukrainen apo jo me raketa “Tomahawk” për të sulmuar në brendësi Rusinë – një hap që zyrtarët rusë thonë se mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh, sipas “Reuters”.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha dje se Uashingtoni po shqyrtonte kërkesën e Ukrainës për të furnizuar vendin e shkatërruar nga lufta me raketa “Tomahawk”.

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe ka qenë i kujdesshëm për shmangien e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë – në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Por, fakti që ai tani po e shqyrton një vendim të tillë – tregon shkallën e zhgënjimit të tij me refuzimin e presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim – gjatë takimit të tyre, në Alaskë, muajin e kaluar.

Raketat “Tomahawk” kanë një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash – mjaftueshëm larg për të goditur Moskën dhe pjesën më të madhe të Rusisë Evropiane nëse ato lëshohen nga Ukraina.

Zelensky i ka kërkuar Uashingtonit t’ua shesë taketat “Tomahawk” vendeve evropiane – në mënyrë që ato të dërgoheshin në Ukrainë.

Sipas Kremlinit, rrezikohet një përshkallëzim nëse SHBA-ja përfshihet në lëshimin e raketave “Tomahawk” në Rusi.

“Pyetja është kjo, kush mund t’i lëshojë këto raketa? Vetëm ukrainasit mund t’i lëshojnë ato, apo duhet ta bëjnë edhe ushtarët amerikanë?”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Kush po përcakton shënjestrimin e këtyre raketave? Pala amerikane apo vetë ukrainasit?” tha Peskov, duke shtuar se nevojitej një analizë shumë e thellë.

Më herët, Rusia paralajmëroi se Rusia kishte të drejtën për të sulmuar postet ushtarake në vendet – që lejojnë Ukrainën të përdorë raketat e tyre – për të goditur Rusinë.