Dyshime për mesazh kërcënues/ Shpërthimi me tritol në pallatin e ish-të dashurës së Laert Haxhiut, shoqërohen 6 persona

Policia e Lushnjes shoqëron gjashtë shtetas për shpërthimin në banesën e Klea Gjatës. Ish e dashura e Laert Haxhiut kishte dy muaj që ishte zhvendosur në Tiranë.

Shaqe Gjata, e ëma e Klea Gjatës ka qenë vetëm në banesë kur ndodhi shpërthimi në murin e jashtëm. Burime nga policia e Fierit sqarojnë se nga ishte një sasi e vogël lënde plasëse që shkaktoi shpërthimin dhe se janë shkaktuar dëmtime të vogla në murin e banesës. Gjashte shtetas janë shoqëruar në komisariatin e Lushnjes në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për ngjarjen dhe po sekuestrohen kamerat e sigurisë në zonë.

Policia lokale thotë se nuk ka ende një pistë për motivin por duke qenë se sasia e lëndës plasëse ishte e vogël, dyshimet janë për një mesazh kërcënues.

Megjithatë është ende e paqartë pse kërcënimi është adresuar në shtëpinë e ish të dashurës së Laert Haxhiut. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat deri në kapjen e autorit apo autorëve. Familjarë të Laert Haxhiut jetojnë në të njëjtën zonë ku ndodhi shpërthimi. Ngjarja ndodhi në orën 01:00 të mëngjesit në lagjen “Gafur Muço” në murin e jashtëm të banesës së Shaqe Gjatës, 57 vjeçe.

Laert Haxhiu 33 vjeç, u ekstradua nga Greqia në korrik të vitit të kaluar. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.