Arrestohet në Itali 24-vjeçari shqiptar, k*kaina e fshehur në pultin e makinës

Gjatë fundjavës së kaluar, Karabinierët e Njësisë Operacionale të Cesena ndaluan dhe arrestuan një 24-vjeçar shqiptar, i dyshuar për trafik dhe shpërndarje të drogës në zonën e Pievesestina dhe pranë kabinave të pagesës në autostradën Cesena-Cesena Nord.

Rreth orës 12:30 të së dielës, i riu u ndalua për kontroll në kabinën e pagesës në Cesena Nord, teksa drejtonte një “Volkswagen Golf” gri, të marrë me qira dhe po tentonte të hynte në autostradë nga rruga E45. Nervozizmi i tij bëri që efektivët të kryenin një kontroll më të thelluar të automjetit.

Gjatë kontrollit u gjetën mbi 100 gramë kokainë, e fshehur brenda pjesës së pultit të makinës, që kërkoi çmontimin e saj për të arritur te droga. Droga, automjeti dhe telefoni celular i përdorur nga i dyshuari u sekuestruan dhe janë në dispozicion të Prokurorisë së Forlì-t për hetime të mëtejshme.

Vlera e drogës, pasi të shpërndahet në shitje me pakicë, kap mbi 10,000 euro.

Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe la në burg të riun shqiptar në pritje të procesit.