Abuzimi i 16-vjeçares nga njerku polic, pezullohet shefi i Krimeve në Përmet! Policia: Kishte dijeni, s’mori masa!

Abuzimi seksual i 16-vjeçares nga njerku polic dhe kolegu i tij ka shkaktuar “tërmet” në Komisariatin e Përmetit. Shefi i Krimeve, Dhurim Çenko është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore për shkak se kishte pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka marrë masa.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër e ka konfirmuar këtë për Report TV, duke bërë me dije gjithashtu se ka pasur të dhëna se të përfshirë kanë qenë edhe punonjës të tjerë, dhe për këtë janë njpftuar edhe strukturat e AMP Vlorë-Gjirokastër.

Për rastin në fjalë Gjykata në Gjirokastër ka caktuar masën e arrestit burg pa afat për P.B, dhe ka shpallur në kërkim policin tjetër të komisariatit të Tepelenës, Artur Ago.

Nga hetimet e Prokurorisë së Gjirokastrës, Policisë së Gjirokastrës dhe AMP-së, ka rezultuar se 16-vjeçarja është abuzuar seksualisht nga njerku prej 3 vitesh, si dhe është abuzuar seksualisht nga polici tjetër Artur Ago 53 vjeç.

Rasti i rëndë u mësua më 18 shtator pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga polici Ago. Pretendohet se ekziston një video për këtë raport intim.

Autoritetet identifikuan dy personat që shantazhuan policin Artur Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar në një emision investigativ një video që ata pretendonin për marrëdhënien intime të tyre.