Arrestohet brenda një hoteli në Itali i riu shqiptar

Një 33-vjeçar shqiptar, i arratisur për më shumë se katër vjet, i kërkuar për një listë të gjatë krimesh, u gjurmua nga Policia italiane në një hotel në Breshia.

Mësohet se shqiptari ishte me qëndrim të paligjshëm në Itali si edhe me disa precedentë penale.

Nga mediat vendase bëhet me dije se i riu u arrestua si pasojë e një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria Publike e Breshias. Urdhri rrjedh nga dënimet e formës së prerë për krime kundër pronës, mashtrim dhe trafik droge.

I arratisuri u gjet nga policia ndërsa qëndronte në një hotel të qytetit. Pasi u identifikua në Selinë Qendrore të Policisë, ai u transferua në burgun e Kantonit Mombello për të vuajtur një dënim prej 3 vjetësh e 7 muajsh.

Hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar se kush mund ta ketë ndihmuar atë të qëndrojë i arratisur deri në arrestimin e tij.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të 33-vjeçarit, prirjen e tij për krime dhe të dhënat e tij të shumta penale, Komisioneri i Policisë së provincës së Brescias, Paolo Sartori, ka lëshuar një urdhër dëbimi kundër tij nga vendi, i cili do të hyjë në fuqi pas përfundimit të ndalimit të tij.