Një sherr i dhunshëm është regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Bilishtit, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal që ka degraduar në dhunë fizike dhe përdorim të armës së ftohtë.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Trajan Çeliku, i njohur për autoritetet si person problematik, së bashku me dy persona të tjerë, kanë dhunuar 39-vjeçarin, Guri Mazelliu, duke e goditur me sende të forta.
Si pasojë e sulmit, Guri Mazelliu ka reaguar duke nxjerrë një thikë dhe ka plagosur njërin prej sulmuesve. Burime të afërta me hetimet bëjnë me dije se konflikti ka pasur një histori të përsëritur dhe dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Ngjarja nisi me një debat verbal mes Çelikut dhe 39-vjeçarit, por më pas përshkallëzoi në dhunë fizike, ku Çeliku shkoi ta takonte sërish më vonë i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Pas përplasjes, të lënduarit janë transportuar në spital për trajtim mjekësor dhe më pas janë shoqëruar nga policia në komisariatin e Devollit, ku po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar saktësisht autorët dhe shkakun e sherrit.